Dita e Falënderimeve: Kurti organizon drekë për Anu Prattipatin dhe stafin e Ambasadës së SHBA-së

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar një drekë zyrtare për të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, si dhe për stafin e saj, me rastin e festës amerikane të Ditës së Falënderimeve.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, kjo është hera e dytë që mbahet një drekë e tillë mes përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, me synim që aktiviteti të shndërrohet në një traditë të përvitshme.

Në drekë u shërbyen ushqime tradicionale të Ditës së Falënderimeve, një festë që ka gati 400 vite histori në Shtetet e Bashkuara dhe që u shpall festë kombëtare nga Presidenti Abraham Lincoln në vitin 1863. Në komunikatë thuhet se kjo ishte një mundësi për të shprehur mirënjohje dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Kryeministria thekson se partneriteti me SHBA-në mbështetet në vlera të përbashkëta, besim dhe respekt të ndërsjellë. Gjatë këtij viti, siç thuhet në njoftim, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit bilateral, përfshirë vendimin për vendosjen e tarifës 0% për mallrat amerikane, arritjen e marrëveshjes për strehimin e përkohshëm të shtetasve të vendeve të treta dhe prokurime të rëndësishme në sektorin e mbrojtjes.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT