Tensioni në “Big Brother Kosova Vip 4” ka arritur kulmin pas transmetimit të një klipi ku Alba Pollozhani duket të ketë qenë pjesë e një situate të vlerësuar si bullizuese ndaj banores së re, Elijona Binakaj. Pas debatit të ashpër në “prime time”, Alba ka refuzuar të pranojë mënyrën se si janë shfaqur pamjet dhe ka reaguar shumë emocionalisht.
Sipas dëshmitarëve brenda shtëpisë, menjëherë pas përplasjes me moderatorin Alaudin Hamiti, Alba është tërhequr nga pjesa kryesore e shtëpisë dhe është futur vetëm në dhomën e gjumit, ku është parë duke qarë. Ajo ka refuzuar të flasë me banorët e tjerë, të cilët shprehin shqetësim të madh për gjendjen e saj.
Ende nuk dihet nëse Alba ndodhet në dhomën e rrëfimit apo nëse po merr në konsideratë largimin përfundimtar nga BBVK. Produksioni nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare, duke e lënë publikun në ankth për fatin e njërës prej banoreve më të komentuar të këtij sezoni.

