Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi dhe zëvendësministri Marjan Risteski realizuan sot takim pune me përfaqësuesit e tre odave më të mëdha të biznesit në vend dhe Organizatën e Punëdhënësve të Maqedonisë për të diskutuar gjendjen aktuale ekonomike, sfidat me të cilat përballet sektori i biznesit dhe masat për mbështetjen e kompanive vendore.
Në takim morën pjesë Goran Gjorgjievski – Kryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Nuhi Aliu – Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Antoni Peshev – Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Vlladanka Trajkoska – Kryetare e Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë dhe Angell Dimitrov – Kryetar i Kuvendit të Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë.
Në fokusin e bisedimeve ishin gjendja ekonomike në vend, efektet ekonomike globale dhe kriza energjetike e shkaktuar nga konflikti ushtarak në Lindjen e Mesme, si dhe masat qeveritare për të mbështetur kompanitë vendore dhe për të ruajtur likuiditetin dhe konkurrueshmërinë e tyre.
Ministri Durmishi dhe zëvendësministri Risteski informuan përfaqësuesit e odave për aktivitetet rrjedhëse të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit dhe ofrimin e mbështetjes konkrete për kompanitë.
“Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës punojnë vazhdimisht për krijimin e masave dhe politikave për të mbështetur kompanitë vendore, për të përshpejtuar rritjen dhe zhvillimin e tyre, si dhe për të rritur konkurrueshmërinë e tyre në tregun ndërkombëtar. Për momentin, janë aktive disa thirrje dhe programe publike që synojnë drejtpërdrejt të mbështesin ekonominë. Me ndryshimet në Ligjin për mbështetje financiare të investimeve, kemi shtyrë afatin e aplikimit deri më 15 qershor, ndërsa deri më 30 qershor, është aktive edhe Thirrja publike për mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme dhe zejtarëve përmes subvencioneve për prokurimin e makinave të reja. Së shpejti do të miratohet Plani operativ i punësimit, i cili përmban masa të rëndësishme për të mbështetur kompanitë dhe për të krijuar vende të reja pune”, u theksua në takim.
Në takim, u është bërë thirrje odave dhe anëtarëve të tyre që të monitorojnë në mënyrë aktive thirrjet publike dhe shpalljet e publikuara nga Qeveria dhe ministritë dhe, në përputhje me nevojat dhe shkathtësitë e tyre, të aplikojnë për mbështetjen institucionale në dispozicion.


