Pjesa e parë e vitit 2026 pritet të jetë përcaktuese për të ardhmen e mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani. Ndërsa lojtari hyn në muajt e fundit të marrëveshjes aktuale me Leçen, mediat italiane kanë zbuluar një detaj interesant që mund të ndryshojë fatin e tij në Serinë A.
Ramadani është shndërruar në një pikë referimi nën urdhrat e trajnerit Euzebio Di Françesko, duke fituar statusin e titullarit të padiskutueshëm. Për këtë arsye, klubi italian po përgatit terrenin për ta mbajtur shqiptarin në skuadër edhe përtej vitit 2026.
Sipas raportimeve të fundit, Leçe ka një “as nën mëngë”: një klauzolë kontraktuale që lejon klubin të zgjasë automatikisht bashkëpunimin edhe për një vit tjetër. Kjo do të thotë se, edhe nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje për një kontratë të re afatgjatë menjëherë, Leçe ka fuqinë ta mbajë Ramadanin të paktën edhe për një edicion tjetër përmes kësaj klauzole.
Pritet që palët të ulen së shpejti në tavolinën e bisedimeve. Plani i parë i klubit është një kontratë e re me kushte të përmirësuara, duke vlerësuar kontributin e madh të mesfushorit kuqezi në stabilitetin e ekipit. Në rast të kundërt, aktivizimi i opsionit për vitin shtesë mbetet alternativa më e sigurt për klubin apulian.
Ky lajm është një dëshmi tjetër e pjekurisë dhe rritjes së Ramadanit në njërën prej ligave më të forta në botë, duke mbetur një shtyllë kryesore edhe për planet e trajnerit Sylvinho në Kombëtaren shqiptare.


