Edhe malazezët do të bojkotojnë dyqanet
Organizata joqeveritare malazeze, Instituti Alternativa, pas aksionit të suksesshëm në Kroaci, ka ftuar qytetarët që më 31 janar të bojkotojnë supermarkete dhe dyqane.
“Ditën e premte ftojmë për bojkoton e supermarketeve dhe dyqaneve në Malin e Zi, për të gjithë pa përjashtim, sepse kjo nuk ka lidhje me politikën. Çmimet e larta prekin njësoj të gjithë qytetarët,” thuhet në komunikatën e organizatës.
Organizata thekson se çmimet janë ekstremisht të larta dhe se zinxhirët kryesorë të tregtisë kanë rënë dakord për çmimet, duke bërë që qytetarët të mos e ndjejnë rritjen e pagave dhe pensioneve.
“A mund të lëmë politikën mënjanë për një ditë, të mos ndajmë veten, të jemi të gjithë një, t’iu tregojmë se ne jemi ata që vendosim,” thuhet në komunikatën e Institutit Alternativa.
Më 31 janar, bojkoti i dyqaneve është planifikuar gjithashtu në Bosnjë e Hercegovinë.