TIRANË – Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, ka bërë një analizë të thellë të situatës politike dhe juridike në vend, pas goditjeve të fundit të SPAK që përfshinë zyrtarë të lartë, përfshirë zv.kryeministren Belinda Balluku.
Sipas Becit, epoka ku zyrtarët ishin të paprekshëm ka marrë fund. Ai thekson se ajo që dikur flitej si thashethem nëpër kafene, sot po faktohet në dosjet e Prokurorisë së Posaçme: lidhja organike mes krimit të organizuar, korrupsionit dhe politikës.
Llogaria e gabuar e politikës Beci shpjegon se klasa politike e votoi reformën me idenë se do të ruante kontrollin mbi emrat dhe strukturat, por situata ka rrëshqitur nga duart e tyre.
“Politika mendoi se do kishte dikë aty që do e kontrollonte. Duket se Prokuroria e Posaçme u ka dalë nga rrethi. U hodhën 140 vota me mendimin se do hiqnin dikë aty e dikë atje, por faktori ndërkombëtar që nuk flet shqip, e shtyu procesin përpara,” deklaroi Beci në studion e “News 24”.
Krimi shqiptar si rrezik global Një pikë kyçe e analizës së tij është fuqizimi i grupeve kriminale shqiptare jashtë vendit. Beci argumenton se meqenëse shqiptarët janë bërë “violinë e parë” e narkotrafikut në Amerikën Latine dhe Evropë, SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë janë të vendosur të godasin “depon” e tyre në Shqipëri, duke mbështetur fuqishëm misionin e SPAK.


