Eurodeputetët vlerësuan gjatë një debati në Parlamentin Evropian në Strasburg se Serbia ka arritur një nivel të ri të represionit, dhunës dhe polarizimit gjatë dhjetë muajve të fundit. Ata kritikuan presidentin Aleksandër Vuçiq për krijimin e një modeli autoritar pushteti, duke theksuar se një qasje e tillë nuk ka vend në Bashkimin Evropian dhe se është e domosdoshme të ndalet degradimi i mëtejshëm i demokracisë. Debati u fokusua edhe në ndërhyrjen brutale të policisë ndaj protestuesve në Novi Sad.
Pjesëmarrës në debatin e Strasburgut ishin edhe përfaqësues të opozitës pro-evropiane serbe, të cilët paralajmëruan se regjimi i Vuçiqit ka futur vendin në një krizë të thellë politike dhe kërkuan që BE të mbështesë qytetarët, të njohë presidentin si autokrat dhe të vendosë sanksione ndaj funksionarëve të lartë për dhunën policore. Ekspertët theksuan se situata në Serbi po bëhet gjithnjë e më komplekse dhe se autoritetet po i afrohen vijës së kuqe, pas së cilës as vetë Komisioni Evropian nuk mund të heshtë.
Si një nga përfundimet kryesore, Parlamenti Evropian u sugjerua të dërgojë një mision monitorues në Serbi. Ekspertët nënvizuan se, megjithëse Serbia është kandidate për BE, ajo nuk plotëson kriteret e anëtarësimit dhe Bashkimi Evropian duhet të zgjedhë mes vazhdimit të politikës aktuale ose përdorimit të mekanizmave më të ashpër për të ndalur degradimin e demokracisë.