Sunday, July 14, 2024
spot_img

Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Me moton “Ta njohim autizmin – nga studentët për studentët” programi studimor Edukim Special dhe Rehabilitim i Fakultetit Pedagogjik e shënoi 2 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin. Kjo ditë synon ta rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me të. Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse. Sipas hulumtuesve dhe shkencëtarëve, njerëzit autikë zakonisht kanë prirje të veçanta në lëmenj të ndryshëm, prandaj inkurajimi dhe përkrahja për t’i zhvilluar më tej aftësitë e tyre ndikon pozitivisht në largimin e energjisë negative që mund të kenë ata.

Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi tha se shënimi i kësaj dite bëhet për të ndërgjegjësuar dhe për të shprehur solidaritetin tonë me komunitetin autist sepse autizmi është një spektër i çrregullimeve të zhvillimit të trurit, i cili shfaqet në forma të ndryshme dhe ndikon në jetën e mijëra njerëzve në të gjithë botën. “Në këtë ditë të veçantë, është e rëndësishme të reflektojmë për sfidat dhe mundësitë që përjetohen nga ata që jetojnë me autizëm, si dhe për të promovuar një kulturë të pranimit dhe të mbështetjes në shoqërinë tonë. Shpeshherë, autizmi shoqërohet me shumë stigma dhe mungesë kuptimi nga shoqëria. Por, kjo nuk duhet të jetë e rëndësishme. Autizmi është vetëm një aspekt i identitetit të një personi, dhe secili individ meriton të respektohet dhe të pranohet për atë që është. Për të ndihmuar në këtë proces, ne kemi nevojë për më shumë ndërgjegjësim dhe pranim në shoqëri. Duhet të ndërtojmë një ambient më të këndshëm dhe më të pranueshëm për personat me autizëm, duke siguruar që ata të kenë qasje në shërbimet dhe mundësitë që u nevojiten për të jetuar një jetë të plotë dhe të lumtur. Në fund, dua të inkurajoj secilin të pranishëm që të angazhohet në promovimin e një shoqërie më të përfshirë dhe të ndjeshme ndaj nevojave të të gjithë individëve, pavarësisht nga ndryshimet e tyre. Bashkohuni me ne në këtë sfidë dhe bëhuni zëdhënës për ndryshime pozitive në botën tonë” – tha dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.

Në këtë aktivitet, studentet e programit studimor Edukim Special dhe Rehabilitim të Fakultetit Pedagogjik, Ajlin Ajeti dhe Ajshenur Izeri dhanë disa informacione të detajuara rreth autizmit dhe përmes disa shembujve konkretë që kishin përgatitur me ndihmën e profesoreshave të po të njëjtit Fakultetit, Doc. Dr. Teuta Ramadani dhe Doc. Dr. Jasmina Troshanska, ilustruan metodat më efektive që mund t’u ndihmojnë personave të prekur me autizëm dhe u konkludua se pikat kyçe ku duhet të punohet me ta, janë komunikimi dhe interaksioni.

 

Zyra për informim – UT

 

 

 

TE NDRYSHME

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

TE FUNDIT