Në emisionin “Rishtaz” të Koha-s, zëvendëskryeministri Arben Fetai, foli hapur për ligjin e përdorimit të gjuhëve, rolin e Inspektoratit dhe dështimet që, sipas tij, i ka lënë pas BDI-ja.
Fetai tha se Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve e bën punën e tij të rregullt, ndërsa pengesat burojnë nga vetë ligji që e ka miratuar BDI.
“Procedurat kanë shkuar në Ministrinë e Administratës Publike, dhe vjen ministri i ZNAM-it dhe ta nxjerr Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Dhe të thotë shikoni nenin 3.2. A e dini çka thotë aty? Ku nuk ka zëvendësministër, zëvendësdrejtor apo bartës institucioni që është i përkatësisë tjetër, nuk ka obligim të respektohet dygjuhësia. Kush na e ka lënë këtë ligj? BDI-ja! Pra, BDI është strumbullari i të gjitha problemeve që i kemi këtu”, tha Fetai.
Duke iu përgjigjur diskutimit se BDI e ka lënë pushtetin me nëntë ministra dhe kryeministër, Fetai u kundërpërgjigj se nuk janë të rëndësishëm numrat, por rezultatet.
“Është në pyetje cilësia, jo sasia. Asnjë realizim nuk e kanë bërë”, tha ai.
Fetai theksoi se Qeveria e kaluar e BDI-së vetë e kishte propozuar heqjen e balancuesit, përmes strategjisë së miratuar nga ministrat e saj, ndërsa kujtoi se Talat Xhaferi, në gjithë periudhën e tij institucionale, ka komunikuar vetëm në maqedonisht.
Në lidhje me akuzat që VLEN i drejton ndaj BDI-së, Fetai tha se ato nuk janë shpikje politike, por fakte të njohura edhe ndërkombëtarisht.
“Ne nuk i akuzojmë BDI-në. Janë SHBA-të që ua kanë futur dy nënkryetarë në listën e zezë” përfundoi Fetai.