Fetai: Nuk ka më BDI në Njësitë 1 dhe 6 – Sela e Taravari zgjodhën anën e gabuar

Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Fetai, në emisionin “Debat” në TV21, deklaroi se partia e tij është në epërsi të qartë në shumicën e komunave shqiptare, ndërsa BDI-ja ka pësuar disfatë historike.

Fetai theksoi se Çairi ishte në qendër të fushatës për shkak të peshës së kandidatëve – Izet Mexhitit, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër, në njërën anë, dhe Bujar Osmanit, ish-ministër i përjetshëm i BDI-së, në anën tjetër.

“Nuk ka më BDI në Njësinë zgjedhore 1, nuk ka BDI në Njësinë zgjedhore 6 që është shporrur po ashtu prej atje. I kanë mbetur komuna si Pllasnica. Nuk ka BDI askund fare. Është mirë që ta pranojë këtë porosi,” – deklaroi Fetai.

Sipas tij, procesi zgjedhor po tregon një rotacion të plotë politik në komunat shqiptare dhe është koha që Ali Ahmeti të pranojë disfatën dhe të hapë rrugë për reforma të brendshme.

“Kjo është porosi edhe për Ali Ahmetin, i cili ka arritur moshën e pensionimit – edhe fizikisht, edhe politikisht. Është koha të pranojë realitetin dhe të sillet në mënyrë demokratike,” – shtoi ai.

Fetai i quajti Ziadin Selën dhe Arben Taravarin “dy humbësit tjerë të mëdhenj”, duke theksuar se ata kanë mbetur pa asnjë komunë fituese. Ai ftoi mbështetësit e tyre që t’i bashkohen VLEN-it.

“Kjo fushatë konfirmoi se kisha të drejtë për vendimet që mora para disa muajve. E ardhmja është në VLEN. Sela dhe Taravari u rreshtuan me të keqen,” – tha Fetai.

Në lidhje me Kërçovën, Fetai u shpreh se është prononcuar vetë Fatmir Limani, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret pas konsultimeve brenda Shtabit të VLEN-it.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com