Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Bogovinës, Feti Abazi, ka zhvilluar tubimin e radhës zgjedhor në fshatin Sedllarcë, ku ka theksuar se qytetarët janë lodhur nga premtimet boshe të pushteteve të kaluara dhe kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet e përditshme.
“Ju jeni lodhur që 20 vite, vetëm me premtime dhe deklarata të shkruara në letër. Kur kam ardhur para 10 ditësh këtu në Sedllarcë, kam ardhur që t’i dëgjoj kërkesat reale të banorëve”, deklaroi Abazi në hapje të fjalimit të tij.
Ai theksoi se është i kënaqur me bisedat paraprake me qytetarët, të cilat kanë trajtuar tema konkrete që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të banorëve.
“Kam kërkuar kërkesa reale dhe të realizueshme, jo premtime boshe. Infrastruktura, uji, ndriçimi publik, mirëmbajtja e gjelbërimit dhe ekologjia janë prioritetet që kemi identifikuar bashkë me banorët”, shtoi Abazi.
Në fjalimin e tij, ai prezantoi edhe disa nga pikat programore për zhvillimin e vendbanimeve të komunës, duke përfshirë:
-
Ndërtimin e kanalizimit.
-
Rikonstruimin dhe ndërtimin e rrugëve dhe trotuareve.
-
Ndërtimin e rrugës Sedllarcë–Bogovinë.
Abazi, i cili tha se ka 19 vite përvojë në pushtetin lokal, kritikoi mungesën e transparencës së komunës aktuale për projektin e Korridorit 8, duke theksuar se banorët janë lënë pa informacione për punimet që po zhvillohen.
“Mungesa e informacioneve për Korridorin 8 është pasojë e mosinteresimit të pushtetit lokal. Qytetarët duhet të informohen për çdo projekt që ndikon në territorin e tyre”, u shpreh ai.
Në fund, kandidati i VLEN premtoi investime në mirëmbajtjen e terreneve sportive, ujësjellësin, si dhe në kanalet e ujitjes në të gjitha vendbanimet e komunës.