Kandidati për kryetar të Komunës së Bogovinës nga koalicioni VLEN, Feti Abazi, zhvilloi takim me banorët e fshatit Rakovec, ku prezantoi disa nga pikat kryesore të platformës së tij zgjedhore.
Në një atmosferë të ngrohtë malore, mes banorëve dhe rinisë së fshatit, Abazi theksoi se Bogovina dhe fshatrat malorë do të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisjes së ardhshme lokale, me prioritet në përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin rural.
“Rakoveci dhe fshatrat e tjerë malor do të jenë prioritet gjatë mandatit tonë, me investime në rrugë, me qëllim të lehtësimit të qasjes dhe lidhjes me vendbanimet fushore. Do të punojmë për zhvillimin e zonave rurale dhe për ta kthyer komunën në punë,” deklaroi Abazi.
Ai shtoi se më 19 tetor, Rakoveci do t’i bashkohet ndryshimit dhe do të mbështesë rrugën e re të zhvillimit që garanton koalicioni VLEN.