Skautët e Barcelonës kanë qenë të pranishëm në ndeshjen Slloveni – Kosovë për të vëzhguar nga afër performancën e Fisnik Asllanit, i cili shkëlqeu duke shënuar një nga golat në fitoren 0-2 të Kosovës, raporton mediumi spanjoll ‘Sport’.
Performancat e tij me Hoffenheimin dhe klauzola e lirimit, e cila pritet të jetë nën 25 milionë euro, e bëjnë Asllanin një objektiv shumë tërheqës për Barcelonën. Vetë futbollisti ka shprehur hapur ëndrrën për të luajtur në “Camp Nou”, megjithatë Barcelona nuk është e vetme në garë. Bayern Munich ka kontaktuar tashmë përfaqësuesit e lojtarit për të mësuar detajet e klauzolës së tij.
Ky interes vjen pas paraqitjeve të shquara të Asllanit me përfaqësuesen e Kosovës dhe klubin e tij gjerman, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes së klubeve evropiane të mëdha.

