Fisnik Mela, kandidat i koalicionit VLV për kryetar komune në Dibër, vizitoi sot disa shkolla të kësaj komune, së bashku me zëvendësministrin e Arsimit, Lulzim Aliu, dhe drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, Shaban Allajbegu.
Gjatë vizitës, ata u njohën nga afër me kushtet në të cilat zhvillohet procesi mësimor në shkollat e Mogorcës, Kosovrastit të Epërm dhe të Poshtëm, si dhe në shkollën “Penestia” në qytetin e Dibrës. Mësimdhënësit dhe nxënësit ndanë me ta sfidat dhe nevojat e përditshme në arsimin lokal.
“Angazhimi ynë mbetet i palëkundur: arsimi cilësor dhe kushtet dinjitoze për çdo nxënës dhe mësimdhënës janë prioritet i programit tonë për zhvillimin e Dibrës”, tha Mela.
Vizita është pjesë e strategjisë së tij për të njohur nga afër realitetin në terren dhe për të planifikuar projekte konkrete që do të përmirësojnë cilësinë e arsimit dhe jetën e qytetarëve në Dibër.