Forumi Rinor Islam realizoi në Teatrin Kombëtar Maqedonas manifestimin tradicional “Në gjurmët e më të mirëve”, i cili këtë vit mori një dimension të veçantë për shkak të 25-vjetorit të themelimit të organizatës.
Programi, i moderuar nga Medin Bajrami dhe Zehra Aliu, filloi me lexim të ajeteve kuranore nga kurra Abdurrahim Sulejmani dhe fjalën përshëndetëse të kryetarit Abdulhamid Mustafa.
U dekoruan nxënësit më të dalluar nga shkollat e mesme të gjashtë qyteteve të vendit, ndërsa hafizi më i ri i vitit u shpall 13-vjeçari Ajan Ibrahimi nga Batinca e Shkupit. Programi u pasurua me ilahi nga grupi i kënduesve përbërë nga Nusret Kurtishi, Nderim Alimi, Nafidan Miftari dhe Almin Shaqiri ku interpretuan ilahi të zgjedhura dhe video-monologun “Një histori që frymëzon – 25 vjet FRI”.
U ndanë dekorata për personalitete me kontribut të veçantë: Dr. Kadir Shabani (post mortum), klubi i hendbollit WHC Çair, Doc. Dr. Irfan Ismaili, Dr. Taxhedin efendi Bislimi dhe kompania “Fimar Ballkan”.
Në fund u dekoruan studentët më të dalluar të pesë universiteteve të vendit, ku tre studente arritën mesataren 10.00.
Manifestimi përcolli mesazhin se ky jubile 25-vjeçar shënon vazhdimin e angazhimit të FRI-së për edukim, dije dhe vlera në shërbim të rinisë dhe shoqërisë.

