„Gazprom“ mund të largojë mbi një mijë punëtorë pasi humbi tregun e BE-së
Gjiganti rus i gazit „Gazprom“ po shqyrton mundësinë të largojë më shumë se një mijë punonjës administrativë, konfirmoi zëdhënësi i kompanisë, e cila është tronditur nga humbja e eksporteve në Evropë.
Ukraina ndërpreu kontratat shumëvjeçare për transitin e gazit rus më 1 janar – kontrata që sollën miliarda dollarë si për Kievin ashtu edhe për Moskën – në përpjekje për të ulur të ardhurat për Rusinë, e cila nisi pushtimin gati tre vite më parë.
Zëdhënësi i „Gazprom“ të hënën konfirmoi për AFP-në vërtetësinë e letrës që po qarkullon në mediat ruse, ku një zyrtar i lartë propozon shkurtime të rreth 40% të vendeve të punës në selinë e kompanisë në Shën Petersburg.
Në letrën e 23 dhjetorit 2024 drejtuar kreut të „Gazprom“, Aleksei Miller, nënkryetarja e kompanisë, Jelena Ilyukhina, tha se kompania duhet të ulë numrin e të punësuarve në selinë e saj nga “mbi 4,100” në “2,500 të punësuar”.
„Sfidat me të cilat përballet Grupi „Gazprom“ kërkojnë zvogëlimin e kohës së nevojshme për përgatitjen dhe marrjen e vendimeve“, tha Ilyukhina në letër, duke kritikuar „proceset e tepërta burokratike“ dhe duke argumentuar arsyet për shkurtime të propozuara.
Shkurtimet e propozuara nuk do të ndikojnë në punonjësit në impiantet prodhuese.
„Gazprom“, dikur një nga burimet kryesore të të ardhurave për qeverinë ruse, shënoi një humbje neto prej gati 7 miliardë dollarësh në vitin 2023, humbja e parë e kompanisë në më shumë se dy dekada.
Kompania ka monopol në eksportin e gazit rus përmes tubacioneve dhe po përpiqet të ridrejtojë dërgesat e saj drejt tregjeve të reja.
Rusia mbuloi rreth 45% të totalit të importit të gazit nga BE në vitin 2021, por kjo përqindje ra në nën 15% në vitin 2023, sipas statistikave të BE-së.
Brukseli synon që BE të ndalojë plotësisht përdorimin e karburanteve fosile ruse deri në vitin 2027.
„Gazprom“ ka rritur shitjet në Kinë vitet e fundit, por Pekini ende nuk ka miratuar një marrëveshje të re afatgjatë për furnizimin apo një marrëveshje për ndërtimin e një tubacioni të ri të madh gazi.
Projekti i diskutuar prej kohësh, i quajtur Fuqia e Siberisë 2, do t’i mundësonte „Gazprom“-it të ridrejtojë gazin drejt Kinës nga fushat që dikur furnizonin Evropën.