Gjykata Kushtetuese kërkon respektimin e Kushtetutës për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur sot aktgjykimin e plotë lidhur me Seancën Konstituive të Kuvendit, e cila filloi më 15 prill 2025 dhe nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Në vendimin e publikuar, Gjykata konstaton se Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me nenet 66 dhe 67 të Kushtetutës, të cilat përcaktojnë zgjedhjen dhe mandatin e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit.

Gjykata ka urdhëruar që Seanca Konstituive të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, duke respektuar afatet kushtetuese dhe aktgjykimet e mëparshme (rastet KO193/25 dhe KO196/25).

Gjykata ka kërkuar gjithashtu që të gjithë deputetët gjatë procesit të zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb të veprojnë “në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Po ashtu, masa e përkohshme e vendosur më 5 shtator 2025 do të vazhdojë deri në hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi. Aktgjykimi do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyn në fuqi ditën e publikimit, përveç pikës mbi masën e përkohshme, e cila hyn në fuqi menjëherë.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese synon të sigurojë përfundimin e procedurës konstituive të Kuvendit dhe respektimin e dispozitave kushtetuese për funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT