Gjykimi për Liridona Ademajn: Prokuroria paraqet borxhet e rënda të Murselit

Në seancën gjyqësore të së hënës lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, Prokuroria ka paraqitur një sërë provash që, sipas saj, mbështesin akuzat ndaj të pandehurve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Një nga pikat kyçe të paraqitura ishte analiza e gjendjes financiare të Naim Murselit, të cilën Prokuroria e konsideron si provë të rëndësishme në motivimin e rastit.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, Murseli rezulton të ketë pasur borxhe të mëdha ndaj disa bankave dhe kompanive private. Nga raportet e transaksioneve bankare të siguruara nga institucionet financiare – përfshirë BKT, Mabetex Holding dhe Chelsea Point – Prokuroria konstaton se në mars të vitit 2024 borxhi i tij financiar arrinte në 369,968.77 euro.

Përveç detyrimeve institucionale, Murseli kishte deklaruar para hetuesve se u detyrohej edhe personave fizikë, me një shumë shtesë prej 106 mijë euro.

Në total, sipas analizës së Prokurorisë, detyrimet financiare të Murselit në periudhën kur është vlerësuar gjendja e tij ekonomike shkonin në 475,968.77 euro.

Prokuroria ka theksuar se ky element ekonomik është një nga provat që e ndihmojnë të ndërtojë motivimin e mundshëm në rast.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT