Gomonia nga Shqipëria lëshon SOS në ujërat greke, shoferi shqiptar dërgohet në spital – Policia gjen drogë në bord

Një gomone që dyshohet se ka ardhur nga brigjet shqiptare ka lëshuar sinjalin “SOS” mbrëmjen e sotme pranë brigjeve greke. Ngjarja është regjistruar në zonën detare midis Igumenicës dhe Korfuzit, në vendin e quajtur Prasoudi.

Menjëherë pas alarmit, në drejtim të vendngjarjes janë nisur mjetet lundruese të policisë detare të Korfuzit dhe Igumenicës, ndërsa kërkesë për bashkëpunim është dërguar edhe në Policinë Kufitare të Sarandës.

Në gomonen gjysmë të fundosur, efektivët grekë kanë gjetur drejtuesin e saj, një shtetas shqiptar, i cili është nxjerrë nga mjeti dhe është transportuar fillimisht drejt Portit të Igumenicës e më pas në Spitalin e Filatit për marrjen e ndihmës mjekësore. Sipas burimeve paraprake, bëhet fjalë për Edmond Musa, 50 vjeç nga Saranda, person i njohur më herët për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Duke pasur dyshime mbi aktivitetin e gomones, policia greke është rikthyer sërish në zonë për kontroll të mëtejshëm. Për shkak të rrymave detare, mjeti është gjetur pranë Sajadhës. Gjatë verifikimeve, siç raportojnë mediat greke, brenda gomones është zbuluar një sasi e konsiderueshme marijuane, e cila dyshohet se ishte fshehur me shumë kujdes për transport drejt Greqisë.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe itinerarit të mundshëm të trafikimit, ndërsa priten zhvillime të tjera në vijim.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com