Për herë të parë, Sanije Zhegrova, nëna e Edon Zhegrovës, një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit shqiptar, ka ndarë rrëfimin e saj emocionues në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, të drejtuar nga Sidorela Gjoni.
“Po, besoj se Edoni ka lindur me talent,” tregon me krenari nëna e tij. Ajo kujton me emocion momentin e verës së kaluar, kur djali i saj bëri hapin e madh nga kampionati francez drejt Serie A.
“Ka qenë pak stresuese, sepse kishte shumë oferta nga klube të mëdha. Në ditët e fundit u përfshinë edhe Borussia Dortmund dhe Marseille, por vendimi për Juventusin ishte i prerë. Të gjithë jemi të lumtur – si Edoni, ashtu edhe familja,” shprehet ajo.
Sanije Zhegrova thekson se rrugëtimi i Edonit është ndërtuar mbi sakrifica dhe përkushtim familjar: “Që kur ishte i vogël, unë dhe bashkëshorti im, Lulzimi, kemi qenë gjithmonë pranë tij – në çdo ndeshje dhe stërvitje. Edhe tani që është transferuar në Torino, ne jemi shpërngulur si familje për ta mbështetur nga afër. Edoni nuk është vetëm – ne jemi gjithmonë pranë tij.”
Zhegrova kujton edhe fillimet e Edonit në futboll:“Edoni ka lindur në Gjermani, por pas luftës u kthyem në Kosovë. Ai ishte vetëm dy vjeç kur erdhëm në Prishtinë. Kur mbushi 6 vjeç, gjyshi e regjistroi te Flamurtari, më pas kaloi te Prishtina. Në kampin Milan Junior Camp në Prishtinë, nga 200 fëmijë, Edoni u zgjodh më i miri. Ishte një moment i paharrueshëm për ne si prindër.”
Sa herë që luan i biri, emocionet për Sanijen janë të papërshkrueshme: “Kur jemi në stadium, nuk ka fjalë për ta përshkruar. Edoni gjithmonë e di ku jemi ulur dhe, para ndeshjes, na përshëndet me një puthje me dorë. Është një moment që na mbush me krenari e dashuri.”
Në fund të intervistës, nëna e yllit të Juventusit e mbyll me një mesazh plot krenari e ndjenjë: “Ne kemi besuar gjithmonë tek ai. Sot, kur e shoh me fanellën bardhezi, e di që çdo sakrificë ia ka vlejtur.”

