Haga anulon të gjitha seancat për Thaçin për nëntor dhe dhjetor – pritet vendim i ri brenda javës

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë anuluar të gjitha seancat e planifikuara për nëntor dhe dhjetor në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkë-të akuzuarve të tij. Lajmi është konfirmuar pas përfundimit të Konferencës së Statusit, gjatë së cilës trupi gjykues ka paralajmëruar hapat e ardhshëm.

Sipas njoftimit zyrtar, seancat janë hequr nga kalendari i gjykatës, ndërsa pritet që brenda kësaj jave të publikohet një vendim për drejtimin e mëtejshëm të procedurës. Arsyet e anulimit nuk janë specifikuar, por vlerësohet se lidhen me riorganizimin e fazave të procesit.

Gjatë muajve të fundit, në Hagë kanë dëshmuar disa figura të rëndësishme ndërkombëtare në mbështetje të mbrojtjes, mes tyre diplomatë amerikanë si James Rubin, Christopher Hill, si dhe ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark.

Ndërkohë, mbështetja publike për ish-krerët e UÇK-së ka vazhduar me protesta të organizuara në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe së fundmi në Strasburg.

Katërshja e UÇK-së ka shënuar më 5 nëntor pesë vjet qëndrim në paraburgim. Ata përballen me akuza për krime të pretenduara lufte, të cilat i kanë mohuar kategorikisht, duke u deklaruar të pafajshëm

TË NDRYSHME

TË FUNDIT