Wesley Clark, ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s për Evropën, pritet të paraqitet nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë për të dhënë dëshmi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ai do të jetë dëshmitari i fundit i paraqitur nga ekipi mbrojtës i Thaçit.
Clark fillimisht ishte planifikuar të dëshmonte të martën, më 18 nëntor, por gjykata ka zhvendosur seancën për të hënën, më 17 nëntor, duke nisur nga ora 12:00. Sipas njoftimeve zyrtare, dëshmia e tij do të zgjasë deri më 19 nëntor.
Me përfundimin e dëshmisë së Clark, faza e mbrojtjes në këtë proces i afrohet fundit. Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se data 14 nëntor ishte caktuar si afati zyrtar për mbylljen e paraqitjes së provave nga mbrojtja, ndërsa seanca e planifikuar për 21 nëntor është anuluar. Pas përfundimit të dëshmive, do të mbahet një konferencë për të përcaktuar hapat e mëtejshëm procedurale.
Prej 15 shtatorit, procesi ka vijuar me paraqitjen e dëshmitarëve të mbrojtjes, përfshirë ish-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, James Rubin, i cili dëshmoi për tri ditë radhazi. Pas tij u paraqit Paul Williams, ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, si dhe John Stewart Duncan, këshilltari politik i gjeneralit Clark në periudhën e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Dëshmia e Duncan u zhvillua më 22–23 shtator.
Gjithashtu, më 30 shtator nisi paraqitjen edhe James Peter Covey, ish-nënkryetar i UNMIK-ut, i cili e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Pas përfundimit të dëshmive, palët pritet të dorëzojnë parashtresat përmbyllëse dhe qëndrimet për efektet e pretenduara të krimeve te viktimat pjesëmarrëse, deri më 22 dhjetor 2025.

