Kandidati i Koalicionit VLEN për Komunën e Bërvenicës, Haqim Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj, siç tha ai, padrejtësive dhe trajtimit të pabarabartë që u bëhet fshatrave të komunës nga udhëheqësia aktuale.
Në një postim të shoqëruar me fotografi nga fshatrat Stençe, Volkovë dhe Gurgunicë, Ramadani tha se imazhet flasin vetë dhe demantojnë pretendimet e pushtetit lokal se zhvillimi po bëhet në mënyrë të drejtë në të gjitha vendbanimet.
“Kur shohim fotot, fjalët janë të tepërta. Qytetarët e Gurgunicës nuk blihen me pllaka bekatoni të vjetra e me ‘stadiume’ në oborr të shkollës një javë para zgjedhjeve. Ata vetë e kanë ndërtuar bazenin e ujit, vetë i kanë bërë rrugët e fshatit, pa ndihmën e komunës,” deklaroi Ramadani.
Ai theksoi se me ardhjen e tij në krye të komunës, çdo fshat do të ketë zhvillim të barabartë, pa dallime etnike, fetare apo politike.
“Unë flas me fakte, jo me premtime boshe. Ky realitet i hidhur do të ndryshojë,” shtoi Ramadani, duke theksuar se drejtësia dhe barazia do të jenë shtyllat kryesore të qeverisjes së tij.
Postimi u shoqërua me hashtagët #EVertetaNeFoto, #BaraziPërTëGjithë dhe #ZhvillimPaDallime, si pjesë e mesazhit të tij për transparencë dhe ndryshim real në Bërvenicë.