Kandidati i Koalicionit VLEN për Komunën e Bërvenicës, Haqim Ramadani, së bashku me kandidatët e tjerë për kryetarë komunash, zhvilloi një takim të rëndësishëm me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Në takim u prezantuan planprogramet e zhvillimit ekonomik të komunave, ndërsa u dëgjuan me vëmendje idetë dhe propozimet konkrete të komunitetit të biznesit, të cilat, sipas Ramadanit, do të përfshihen në një pjesë të konsiderueshme të planeve të ardhshme të VLEN-it.
“Theksi i veçantë iu kushtua zhvillimit të zonave ekonomike në Komunën e Bërvenicës, të cilat do të jenë shtylla të rëndësishme për zhvillimin lokal, hapjen e vendeve të reja të punës dhe nxitjen e investimeve të qëndrueshme,” deklaroi Ramadani.
Ai theksoi se një nga propozimet kryesore është transferimi i zonave ekonomike, duke përfshirë si tokat shtetërore ashtu edhe ato private, me qëllim transformimin e tyre nga toka bujqësore në ndërtimore.
“Ky hap do t’u mundësojë mërgimtarëve tanë të investojnë kapitalin e tyre në vendlindje, do të krijojë vende të reja pune, do të gjallërojë jetën ekonomike në komunë, do të ndalë migracionin dhe do të rrisë buxhetin komunal,” tha ndër të tjera Ramadani.
Takimi u vlerësua si një hap konkret drejt bashkëpunimit midis institucioneve të ardhshme komunale dhe sektorit privat për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në rajon.