Heroi shqiptar Elton Zefi shpëton një 85-vjeçar nga mbytja në Padova, përshëndetet nga kryeministrja italiane

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka përshëndetur guximin e të riut shqiptar Elton Zefi, i cili shpëtoi jetën e një 85-vjeçari që ra me makinën e tij në kanal në Padova. Meloni e ka cilësuar Zefin si një hero, duke theksuar se jeta e një personi u shpëtua falë altruizmit dhe vendosmërisë së tij.

Ngjarja ndodhi të enjten, më 20 nëntor, pak pas orës 11:00, kur sipërmarrësi Giuseppe Salvalajo humbi kontrollin e automjetit dhe përfundoi në ujërat e kanalit Battaglia. Makina filloi të fundoset shpejt, duke lënë të moshuarin të bllokuar dhe në gjendje shoku.

Elton Zefi, 32 vjeç, i cili atë ditë po festonte ditëlindjen e tij, pa skenën dramatike dhe u hodh menjëherë në ujë bashkë me një tjetër burrë që ndodhej aty pranë. Pasi përpjekjet fillestare për të thyer xhamat dështuan, Zefi dalloi dorën e të moshuarit nga sedilja e pasme, ku xhami ishte i hapur, dhe vendosi të bënte një përpjekje të fundit.

Shpëtimi u realizua me sukses: 85-vjeçari arriti të dilte nga makina dhe të nxirrej në breg, ndërsa më vonë mbërritën ekipet e emergjencës. Viktima u transportua në spital dhe tani është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja, e regjistruar në video, u bë shpejt virale në rrjetet sociale, duke nxjerrë në pah heroizmin e Zefit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT