Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, mori pjesë sot në protestën para Parlamentit Evropian në Strasburg, kundër procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po zhvillohet në Hagë.
Gucati theksoi se UÇK ka qenë një forcë çlirimtare, jo një “organizatë e përbashkët kriminale” siç pretendohet në aktakuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“UÇK nuk ka qenë organizatë kriminale. Ajo luftoi për çlirimin e Kosovës nga forcat serbe. Jemi këtu për t’i thënë ‘stop’ padrejtësisë që po ndodh në Hagë,” deklaroi Gucati.
Ai akuzoi Gjykatën Speciale për devijim nga mandati i saj dhe për përdorimin e “dëshmitarëve të fabrikuar” kundër ish-krerëve të UÇK-së.
“Jam dëshmitari i gjallë, si edhe shumë shokë tanë që kemi qenë në burgjet famëkeqe. Kjo që po ndodh është kundër gjithë kombit shqiptar,” shtoi ai.
Gucati i bëri thirrje eurodeputetëve që të rishikojnë vendimet dhe të adresojnë padrejtësitë ndaj të akuzuarve në Hagë:
“I themi Parlamentit të Evropës: korrigjoni gabimin. Kërkoni falje ndaj shqiptarëve, ndaj presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, sepse keni votuar një gjykatë me rezolutë të njëanshme.”

