Sunday, April 28, 2024
spot_img

Instituti IDEA: Programi i bursave për studime jashtë shtetit i keq-menaxhuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike – IDEA ka realizuar një hulumtim lidhur me programin e bursave për studime jashtë vendit i cili menaxhohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) me qëllim të evaluimit të mënyrës së menaxhimit të këtij programi dhe benefitet që ky program sjell për taksapaguesit.

Nga viti 2010 deri në vitin 2023 nga ky program kanë përfituar gjithësej 380 studentë, edhe atë 211 për studime deri diplomike dhe 169 për studime postdiplomike. Analizuar nga prizmi i përfaqësimit etnik, nga përfituesit e bursave deridiplomike vetëm 14% janë shqiptar, ndërsa nga ato postdiplomike 20% janë shqiptarë, pra vërehet një disproporcion në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë por edhe të nxënësve, ku përqindja e nxënësve shqiptar arrin diku 31% të numrit të përgjithshëm të nxënësve. Në aspektin gjinor, përfaqësimi është në nivel pothuajse plotësisht të barabartë në mes të dy gjinive.

Shqetësuese është mënyra se si MASh menaxhon me programën për bursa studimore jashtë vendit. Edhe pse një ndër kushtet të cilat pranohen nga bursistët është që pas studimeve të kthehen dhe të jetojnë në Maqedoninë e Veriut si dhe të punojnë në institucione nëse ekziston mundësia, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk posedon të dhëna mbi statusin e 188 studentëve të cilët kanë përfituar nga bursa shtetërore (28% e studentëve të ciklit të parë dhe 75% e studentëve të ciklit të dytë). Pra nuk dihet se ku jetojnë dhe çfarë punojnë. Mbledhja e të dhënave mund të jetë proces fare i lehtë, por supozimi ynë është që studentët për të cilët MASh nuk posedon të dhëna jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit. Në anën tjetër, një numër jashtëzakonisht i vogël i të diplomuarve që nuk janë në studime punojnë në institucione shtetërore (përafërsisht 5%), që nënkupton dështimin e MASh për t’i vendosur këto kapacitete në shërbim të qytetarëve duke angazhuar bursistët me punë në institucione shtetërore.

Sidoqoftë, Instituti IDEA inkurajon MASh që të vazhdojë me programin e financimit të studentëve për studime jashtë vendit, mirëpo MASh duhet të merret më seriozisht me vend-ndodhjen dhe angazhimin profesional të bursistëve pas diplomimit, si dhe të krijohet sistem i sistemimit të tyre të domosdoshëm në institucione shtetërore në mënyrë që taksapaguesit të përfitojnë nga eksperienca dhe dija e tyre. Është emergjente të sigurohen informacionet për secilin prej studentëve që kanë përfituar bursa deri tani mbi atë se ku ndodhen dhe ku punojnë, pasi qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë të dijnë se për çfarë janë dhënë paratë e tyre dhe se ajo që është dhënë në formë të investimit po u kthehet në formë të shërbimit.

Përndryshe, analizat e Institutit IDEA thonë që taksapaguesve të Maqedonisë së Veriut programi për bursa studimore jashtë vendit u ka kushtuar mbi 22 milion euro në dhjetë vitet e fundit, ndërsa kthimi institucional nga ky program duket të jetë i vogël si pasojë e mos menaxhimit të mirëfilltë të këtij programi.

 

 

 

 

 

TE NDRYSHME

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

TE FUNDIT