Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një takim me berberët e kësaj komune, duke vlerësuar kontributin e tyre si shembull të suksesit, përkushtimit dhe trashëgimisë familjare që i ka rezistuar kohës.
Në këtë takim, Mexhiti theksoi se berberët dhe zejtarët e Çairit janë pjesë thelbësore e jetës sociale dhe ekonomike të komunitetit, duke përfaqësuar shpirtin punëtor dhe kreativ të qytetit.
“Në çdo berberi fshihet një histori e vogël suksesi, një biznes familjar që qëndron mbi punë, përkushtim dhe traditë. Berberët e Çairit janë ata që çdo ditë takojnë dhjetëra qytetarë, dëgjojnë historitë e tyre, ndajnë hallet dhe gëzimet e përditshme,” tha Mexhiti.
Ai shtoi se përmes politikave të qarta për zhvillim dhe lehtësime për bizneset e vogla, do të mbështesë çdo profesion të ndershëm dhe çdo familje që krijon vlerë në Çair.
“Berberët, frizerët, zejtarët dhe tregtarët janë forca e vërtetë e ekonomisë lokale. Janë ata që me duart e tyre krijojnë bukuri, stabilitet dhe jetë në lagjet tona. Prandaj, ne do të jemi përkrah tyre me politika të qarta zhvillimi, mbështetje për bizneset e vogla dhe kushte më të mira pune që nxisin dinjitetin e punëtorit dhe fuqinë e vetëqëndrueshme të ekonomisë lokale,” theksoi ai.
Në përmbyllje të takimit, kandidati i VLEN-it nënvizoi se vizioni i tij për Çairin është një komunë që ruan traditën, nxit modernizimin dhe forcon ekonominë lokale.
“Çairi do të mbetet shtëpia e mjeshtrave, vendi ku puna vlerësohet, ku tradita takohet me modernitetin dhe ku çdo njeri ka vendin e vet në historinë e qytetit tonë. Sepse Çairi është një familje e madhe që rritet mbi solidaritetin, punën dhe respektin për njëri-tjetrin,” përfundoi Mexhiti.