Në një ngjarje solemne që mblodhi qytetarë, arkitektë dhe personalitete publike, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në bashkëpunim me arkitektin me famë botërore Bajram Vardar, prezantoi Master Planin për Çairin – një dokument vizionar që synon transformimin e komunës në një model të zhvillimit modern, të gjelbër dhe të qëndrueshëm.
Një vizion urban i bazuar në shtatë shtylla zhvillimi
Master Plani, i hartuar nga një ekip ekspertësh nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut, udhëhequr nga Bajram Vardar – urbanist me origjinë nga Shkupi dhe pjesë e ekipit të ngushtë të presidentit Rexhep Taip Erdogan gjatë periudhës së tij si kryetar i Bashkisë së Stambollit – mbështetet në shtatë shtylla thelbësore zhvillimi:
-
Komunikacioni dhe infrastruktura
-
Ruajtja e trashëgimisë kulturore
-
Turizmi dhe ekonomia
-
Arsimi
-
Kultura dhe arti
-
Rekreimi dhe sporti
-
Transformimi urban
Ekspertët Nadir Dogan dhe dr. Mustafa Tutar, bashkë me specialistë vendorë, kanë punuar në përshtatjen e planit me nevojat konkrete të Çairit dhe realitetin urban të Shkupit.
Zgjidhje konkrete për komunikacionin dhe infrastrukturën
Një nga shtyllat kryesore të planit është lehtësimi i qarkullimit urban dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore.
Projekti parashikon ndërtimin e bulevardëve “Kroacia” dhe “Mali i Zi”, që do të mundësojnë lëvizjen nga Autokomanda në drejtim të Sarajit pa kaluar përmes Çairit.
Gjithashtu, parashikohet zgjerimi i bulevardeve “Mithat Frashëri”, “Xhon Kenedi” dhe “Cvetan Dimov”, si dhe shpërthimi i nyjeve kyçe të trafikut, përfshirë ndërtimin e rrethit të komunikacionit rreth parkut-pyll Gazi Babë.
Revitalizimi i Çarshisë së Vjetër – rikthim i shpirtit të Shkupit
Një komponentë e rëndësishme e Master Planit është revitalizimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit, me synim që ajo të kthehet në epiqendrën turistike, ekonomike dhe kulturore të kryeqytetit.
Hanet tradicionale do të rikonstruktohen dhe shndërrohen në qendra multifunksionale, duke ndërthurur trashëgiminë historike me jetën moderne.
Investime për rininë, arsimin dhe hapësirat publike
Plani parasheh krijimin e 5000 vendeve të reja parkimi, përfshirë parkingje mekanike, qendra rinore dhe sportive, si dhe rinovimin e shkollave ekzistuese.
Një projekt madhor është edhe krijimi i një kampusi të ri modern për Universitetin “Nënë Tereza”, që pritet të shndërrohet në një simbol të dijes dhe bashkëjetesës urbane.
Tophane – lagjja që do të bëhet ikonë e re e Shkupit
Një ndër projektet më të veçanta është “Qendra Moderne Tophane”, e cila synon të transformojë lagjen Tophane në një hapësirë ikonike dhe atraktive, ku ndërthuren besimi, trashëgimia dhe arkitektura moderne, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Reagime pozitive dhe mbështetje e gjerë
Ngjarja e prezantimit të Master Planit u ndoq nga qytetarë, urbanistë, përfaqësues të mediave dhe personalitete publike, të cilët e vlerësuan këtë iniciativë si një hap historik drejt transformimit të Çairit në një komunë evropiane me identitet të fortë urban, kulturor dhe njerëzor.