Në kuadër të prezantimit të shtyllës së dytë të programit zgjedhor “Arsimi”, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, njoftoi për fillimin e ndërtimit të kampusit universitar “Nënë Tereza” – një projekt kapital me vlerë prej 40 milionë eurosh, i mbështetur nga Qeveria.
Në fjalën e tij, Mexhiti bëri të ditur se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka dhënë tashmë lejen për punët përgatitore, duke shënuar fillimin zyrtar të realizimit të këtij projekti arsimor madhor.
“Sa për informatë, dje Ministria e Transportit ka dhënë lejen për punët përgatitore për Universitetin ‘Nënë Tereza’, pra prej dje fillon edhe realizimi i projektit,” theksoi Mexhiti.
Ai sqaroi se të gjitha projektet arsimore të planifikuara për objektet e reja janë të përfshira në Planin Detal Urbanistik të Çairit dhe posedojnë të gjitha lejet përkatëse të ndërtimit.
“Për të gjitha këto projekte është siguruar një konstrukt i fortë financiar, që garanton realizimin e plotë dhe të qëndrueshëm të tyre,” shtoi ai.
Sipas Mexhitit, ky është vetëm fillimi i një vizioni të gjerë për forcimin e sistemit arsimor dhe zhvillimin urban të Çairit, duke e kthyer këtë komunë në një qendër të dijes, mundësive dhe modernizimit.