Izet Mexhiti: Nuk ka zgjedhje të parakohshme parlamentare, fokusi është tek zgjedhjet lokale

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj spekulimeve për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pas përfundimit të atyre lokale.

I pyetur nga gazetarët, Mexhiti u shpreh qartë se nuk ka bazë për zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se Qeveria ka legjitimitet dhe detyra konkrete përpara.

“Dikush don ta gënjejë, ta motivojë elektoratin e vet se këto janë zgjedhje lokale dhe pas zgjedhjeve lokale do shkojmë në zgjedhje parlamentare. Unë mendoj se këto të AKI-së, kur do t’i shohin rezultatet e zgjedhjeve lokale, do t’i harrojnë edhe zgjedhjet parlamentare,” tha Mexhiti.

Ai shtoi se fokusi i Koalicionit VLEN mbetet tek zgjedhjet lokale dhe tek realizimi i projekteve për qytetarët:

“Qeveria ka legjitimitet, ka numra, ka detyra përpara, ka programin përpara dhe nuk ka nevojë të bëjmë harxhime shtesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet do të jenë të rregullta kur janë të parapara.”

Deklarata e tij vjen në një kohë kur në opinion qarkullojnë zëra për mundësinë e zgjedhjeve të reja, por Mexhiti theksoi se prioriteti mbetet puna konkrete dhe përmbushja e zotimeve ndaj qytetarëve.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT