Izet Mexhiti prezanton programin zgjedhor për Çairin: “Manifest i punës, përkushtimit dhe vizionit për një Çair modern dhe dinjitoz”

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, ka prezantuar sot programin e tij zgjedhor, të cilin e ka cilësuar si një “manifest të punës, përkushtimit dhe vizionit për një Çair modern, të zhvilluar dhe dinjitoz”.

Në deklaratën e tij për media, Mexhiti tha se Çairi ka qenë dhe mbetet pjesë e pandashme e angazhimit të tij politik dhe personal ndër vite.

“Çairi ka qenë dhe mbetet epiqendra e angazhimit tim ndër vite. E njoh themelin e tij, kam jetuar bashkë me Çairin në ditët e tij më të lavdishme, por edhe në ditët më të vështira. E di historinë e çdo lagjeje, çdo rruge e çdo rrugice. Prandaj vendosa të lë Qeverinë dhe të rikthehem në Çair, për të vazhduar misionin e nisur me një mandat të ri, me më shumë përvojë dhe energji”, theksoi ai.

Programi zgjedhor i kandidatit të koalicionit VLEN përfshin një sërë projektesh konkrete që synojnë modernizimin e plotë të infrastrukturës komunale dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Çairit. Ndër pikat kryesore të këtij programi janë:

  • ndërtimi i çerdheve dhe shkollave të reja,

  • rikonstruimi i rrugëve dhe bulevardeve,

  • krijimi i qendrave sportive, pishinave dhe hapësirave për rekreacion,

  • si dhe revitalizimi i zonave të gjelbra dhe ekologjike në çdo lagje të Çairit.

Mexhiti theksoi se dija, përvoja dhe vullneti do të jenë bazat kryesore të këtij mandati të ri, duke nënvizuar se çdo premtim do të shndërrohet në punë konkrete në terren.

“Kam dijen, kam përvojën, por mbi të gjitha kam vullnetin dhe nijetin e pastër. Më 19 nëntor, ftoj çdo qytetar të Çairit të më besojë votën. Ajo për mua është nder dhe përgjegjësi – një amanet që do ta mbaj me përkushtim çdo ditë të punës sime si kryetar i komunës,” deklaroi Mexhiti.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen rreth vizionit të tij për një Çair të ri dhe më të zhvilluar:

“Voto me një zë. Voto numrin 7. Voto për Çairin që e duam të gjithë!”

📍 Koalicioni VLEN – Izet Mexhiti për Çairin
🗳️ Zgjedhjet Lokale 2025

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com