Në sheshin “Iliria” të Tetovës, kryetari i Komunës dhe lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, është takuar sot me aktivistët, rininë dhe kandidatët për këshilltarë të subjektit të tij.
Në një atmosferë të ngrohtë bashkëbisedimi, Kasami theksoi rëndësinë e angazhimit të përditshëm në terren dhe përkushtimin ndaj qytetarëve, duke vlerësuar kontributin e secilit në procesin e zhvillimit të Tetovës.
“Sot, në zemër të Tetovës, takova njerëzit që e duan zhvillimin. Me një zë, vazhdojmë përpara për një Tetovë më të mirë. Ndryshimi ka nisur dhe këtë rrugë s’ka kush e ndal,” tha Kasami.
Ai shtoi se në katër vitet e fundit është hedhur baza e transformimit të qytetit, ndërsa projektet e reja që planifikohen pritet ta çojnë Tetovën në një nivel të ri zhvillimi.
Takimi në sheshin “Iliria” shënon një nga aktivitetet e radhës në kuadër të fushatës së Lëvizjes BESA për zgjedhjet lokale që po afrohen.