Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kandidati për mandat të dytë, Bilall Kasami, ka zhvilluar sot një vizitë në Strugë, ku është pritur nga kandidati për kryetar të komunës, Mendi Qyra, dhe qytetarë të shumtë që i janë bashkuar valës së ndryshimit.
Në një atmosferë entuziazmi dhe përkrahjeje, Kasami theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkomunal dhe të vizionit të përbashkët për zhvillimin rajonal, që është pjesë e filozofisë së koalicionit VLEN.
“Pata kënaqësinë ta vizitoj sot Strugën e bukur, e cila iu bashkua valës së ndryshimit duke u radhitur fuqishëm pas Mendi Qyrës. Bashkëbiseduam për vizionin tonë për komunat, projektet që na presin dhe bashkëpunimin mes komunave tona në të ardhmen. Ditë të mira po e presin edhe Strugën me Mendi Qyrën në krye,” deklaroi Kasami.
Vizita e tij në Strugë u pa si shenjë e mbështetjes dhe e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet drejtuesve të VLEN-it në qytetet kryesore shqiptare, me synim për ta përhapur frymën e ndryshimit dhe zhvillimit në të gjitha komunat e vendit.


