Arsimi në Tetovë po përjeton një përparim të jashtëzakonshëm pas më shumë se 20 vitesh. Në këtë mandat, autoritetet lokale kanë nisur ndërtimin e shkollave të reja dhe rikonstruksionin e objekteve ekzistuese, duke e bërë arsimin prioritet kryesor.
Mes projekteve më të rëndësishme janë Shkolla e Mesme Tekstile dhe Gjimnazi “7 Marsi”, objekte moderne me laboratorë, kabinete dhe hapësira bashkëkohore për mësimdhënie, një investim prej rreth 5 milionë eurosh, pjesërisht i financuar nga Qeveria.
Përveç këtyre, janë planifikuar 12 projekte për arsimin fillor, 5 për arsimin e mesëm dhe 2 për çerdhet. Shkollat fillore që do të ndërtohen ose rikonstruktohen përfshijnë “Liria”, “Bratstvo-Migjeni”, “Istikball”, “Përparimi”, “Rexhep Voka” (Shipkovicë), “Rilindja” (Sellcë), “Skënderbeu” (Xhepçisht) dhe shkollën në Kikish.
Në arsimin e mesëm, përveç Shkollës Tekstile dhe Gjimnazit “7 Marsi”, do të ndërtohet objekt ndihmës për SHMK “8 Shtatori” dhe do të rikonstruktohet fasada e “Nikolla Shtejn”. Arsimi parashkollor do të përfitojë nga ndërtimi i një objekti të ri për çerdhen “Rinia” në BU 57 dhe rikonstruksioni i çerdheve ekzistuese në Teteks, Qendrën Sportive dhe Potok.
Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deklaroi: “Tetova meriton arsim cilësor dhe kushte dinjitoze për fëmijët tanë. Nuk kthehemi pas në errësirën e papërgjegjësisë, vazhdojmë përpara me Kapitullin e Dytë të zhvillimit të Tetovës!”