Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Europian, Marta Kos, për të diskutuar ecurinë e integrimit europian të Shqipërisë pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave.
Komisionerja Kos vlerësoi progresin e vendit, duke theksuar se performanca e lartë e Shqipërisë e bën të lehtë mbështetjen e saj në procesin e integrimit. Ajo nënvizoi rëndësinë e konsensusit politik dhe mbështetjes popullore për këtë rrugëtim.
Kryetari Peleshi riafirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE, duke e cilësuar si prioritet strategjik kombëtar, dhe garantoi përfshirjen e opozitës dhe qytetarëve në proces.
Në takim morën pjesë edhe nënkryetari Agron Gjekmarkaj dhe kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, të cilët theksuan rëndësinë e standardeve demokratike dhe mbështetjen për integrimin europian.
Takimi përfundoi me angazhimin e përbashkët për të avancuar ritmin e negociatave dhe bashkëpunimin me institucionet europiane.

