Sot në Venedik u mbajt sesioni i 114-të plenar i Komisionit Evropian për Demokraci përmes Ligjit – Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Evropës, në të cilin u miratua mendimi i përbashkët për Projektligjin për Prokurorinë Publike dhe për Projektligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në mendimin e miratuar, Komisioni ka dhënë një vlerësim pozitiv për procesin dhe përmbajtjen e ligjeve të përgatitura, duke përshëndetur përpjekjet reformuese të Ministrisë së Drejtësisë. Është theksuar se në të dy projektligjet janë respektuar standardet ndërkombëtare dhe janë zbatuar të gjitha rekomandimet, ndërsa janë dhënë edhe disa sugjerime shtesë për përmirësimin e teksteve ligjore.
Me këtë, konfirmohet se ligjet janë plotësisht të harmonizuara me parimet evropiane për profesionalizmin dhe efikasitetin e Prokurorisë Publike, si dhe me standardet për funksionim transparent dhe të përgjegjshëm të Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Në sesionin plenar, në emër të Ministrisë së Drejtësisë, foli prof. dr. Aleksandra Deanovska Trendafilova, si kryetare e Grupit të Punës që i përgatiti këto dy ligje.
Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të punojë me përkushtim për zbatimin e rekomandimeve, për përmirësimin e institucioneve gjyqësore dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ky mendim pozitiv përbën një konfirmim të rëndësishëm të përcaktimit evropian të vendit, të qasjes transparente dhe gjithëpërfshirëse që zbatohet në procesin e reformimit të sistemit gjyqësor dhe të angazhimit për ndërtimin e një sistemi juridik që pasqyron standardet më të larta të demokracisë, drejtësisë dhe integritetit.
Të dy ligjet janë pjesë e Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian, me afat zbatimi deri në dhjetor 2025.