Likovë – Me një aksion simbolik, Forumi Rinor VLEN dhe Forumi i Gruas VLEN të Komunës së Likovës shpallën sot Komunën e Likovës si “Komuna e Kushërinjve”, në shenjë proteste ndaj asaj që e cilësojnë si nepotizëm dhe abuzim me pushtetin nga ana e kryetarit në ikje, Erkan Arifi.
Aktivistët vendosën mbishkrime me tekstin “Komuna e Kushërinjve” në hyrje të oborrit të objektit komunal, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi në administratën lokale.
Sipas përfaqësuesve të VLEN, ky reagim vjen pas publikimit të disa skandaleve që, sipas tyre, dëshmojnë punësimin e mbi 33 anëtarëve të familjes së kryetarit në administratën komunale, si dhe shpërndarjen e qindra mijëra eurove tenderë në institucione që lidhen me familjarët e tij.
“Forumi Rinor dhe Forumi i Gruas VLEN theksojnë se kjo gjendje është e papranueshme dhe se Komuna e Likovës nuk është pronë private e askujt, por e qytetarëve të saj,” thuhet në reagimin e përbashkët të tyre.
Sipas aktivistëve, ky aksion është një thirrje për përgjegjësi, drejtësi dhe fund të kapjes familjare të pushtetit lokal, duke theksuar se Likova meriton një administratë të pastër, të drejtë dhe profesionale.