Komuna e Tetovës, në bashkëpunim me Këshillin për Parandalimin e Delikuencës, organizoi sot një panel diskutimi me temën: “Parandalimi i delikuencës; shfrytëzimi i kohës kualitative si faktor mbrojtës parandaluese ndaj veprimeve devijante”.
Ngjarja u zhvillua në Qendrën Rinore të Tetovës, e cila si hapësirë e dedikuar posaçërisht për të rinjtë, po shndërrohet në një pikë takimi të rëndësishme për adresimin e sfidave me të cilat përballen gjeneratat e reja. Në panel morën pjesë edhe përfaqësues nga Këshilli për Parandalimin e Delikuencës dhe nga SPB Tetovë.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në fjalën e tij vlerësoi angazhimin e të rinjve, duke theksuar: “Falë angazhimit të nxënësve dhe të rinjve, Qendra Rinore po rritet çdo ditë. Kjo hapësirë ofron mundësi për aktivitete të ndryshme arsimore, kulturore dhe argëtuese”.
Gjatë diskutimit u theksua se ofrimi i aktiviteteve cilësore dhe mundësive të shëndetshme për angazhim është një faktor mbrojtës kyç në parandalimin e sjelljeve devijante tek të rinjtë.
Përmes këtij aktiviteti, Komuna e Tetovës tregoi përkushtimin e saj në mbështetjen e të rinjve dhe në krijimin e alternativave pozitive për zhvillimin e tyre.

