Në Shtëpinë e Futbollit të FIFA-s në Cyrih sot është hedhur shorti për gjysmëfinalet dhe finalet e “Play-Off”-it në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, ku Kombëtarja e Kosovës ka mësuar kundërshtarin që do të përballet në ndeshjen gjysmëfinale dhe kundërshtarit potencial në finalen e muajit mars.
Pas një rruge të jashtëzakonshme në fazën grupore, Dardanët do të sfidohen nga Sllovakia, një kundërshtar me traditë në futbollin evropian dhe me përvojë të madhe në garat ndërkombëtare. Përveç Sllovakisë, në short për këtë fazë si kundërshtarë të mundshëm të Kosovës ishin edhe Republika Çeke, Uellsi dhe Polonia, por goglat vendosën që rival i Kosovës të jetë kombëtarja sllovake.
Kjo ndeshje gjysmëfinale përbën hapin e parë drejt realizimit të ëndrrës së madhe të kualifikimit në Kampionatin Botëror. Fituesi i saj do të vazhdojë më pas në finalen e “Play-Off”-it,ku do të përballet me fituesin e ndeshjes Turqi- Rumani, ku do të përcaktohet bileta për Botërorin 2026.
Të pranishëm në hedhjen e shortit ishte edhe delegacioni i FFK-së, presidenti Agim Ademi, përzgjedhësi Franco Foda, si dhe Muharrem Sahiti, Samir Ujkani dhe Bajram Shala.
Ndeshjet e “Play-Off”-it për kualifikime në Botërorin 2026 do të luhen më 26 mars 2026 (gjysmëfinalet) dhe më 31 mars 2026 (finalet). Katër ekipe sigurojnë biletën për në Botëror. Ndeshjen gjysmëfinale Kosova do ta zhvillojë si mysafire, por nëse kalon tutje finalja do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”.
Shorti u tërhoq nga legjenda italiane e futbollit, Marco Materazzi dhe legjenda suedeze e futbollit, Martin Dahlin.

