Kombëtarja e Kosovës ka arritur një fitore madhështore në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Suedinë me rezultat 2-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas humbjes ndaj Zvicrës, “Dardanët” u rikthyen fuqishëm me një paraqitje spektakolare nga minuta e parë deri në fund. Rezultati u zhbllokua në minutën e 26-të me një goditje të saktë të Elvis Rexhbeçajt, ndërsa në minutën e 42-të Vedat Muriqi, pas një kundërsulmi perfekt me Albion Rrahmanin, dyfishoi avantazhin.
Në pjesën e dytë Kosova vazhdoi me lojë dinamike dhe mund të kishte shënuar edhe golin e tretë me Muslijën, por rezultati mbeti 2-0. Mbrojtja e fortë dhe e disiplinuar e Dardanëve nuk lejoi suedezët të gjenin rrugën e golit.
Me këtë fitore, Kosova ngjitet në vendin e dytë të Grupit B me 3 pikë, pas Zvicrës që kryeson me 6. Suedia mbetet në kuotën e 1 pikë, njësoj si Sllovenia e fundit.