Sunday, April 28, 2024
spot_img

Kryeministri Kurti mori pjesë në takimin e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Shkup të Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në takimin dhe diskutimin me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kushtuar Plani të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, miratuar nga Komisioni Evropian.

Me temën “Ballkani Perëndimor takon Bashkimin Evropian”, në konferencën që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut nën organizim e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, krahas liderëve rajonalë ishin të pranishëm dy përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit,  Gert Jan Koopman dhe Zëvendësdrejtori për Evropë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Marko Makovec, si dhe Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.

Fillimisht, në darkën e mbrëmshme, që i parapriu takimeve dhe diskutimeve sot, kryeministri theksoi se Plani i Rritjes dhe Tregu i Përbashkët Rajonal i Procesit të Berlinit duhet të përshpejtojnë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe fondet e BE-së duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së.

Ndërkaq, sot në takimin dhe diskutimin e përbashkët, rikonfirmoi mbështetjen e tij dhe të Republikës së Kosovës për Planin e Rritjes për të cilin mbështetje ka dhënë edhe në tetor të vitit të kaluar.

Ai tha Qeveria po përgatitë një listë indikative të projekteve që synojnë mbylljen e boshllëqeve infrastrukturore dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik, që do të financohen në Fondin e Reformës dhe Rritjes, duke përshpejtuar më pas rritjen dhe konvergjencën me Bashkimin Evropian. Ai shtoi se përmirësimet e treguesve demokratikë dhe ekonomikë në tre vitet e fundit, dëshmojnë se Kosova është shumë e gatshme përveç se e interesuar për reforma.

Në fund, kryeministri Kurti gjithashtu pati një konferencë të shkurtër për media ku ndër të tjerash tha se e mbështetë plotësisht qasjen që kushtëzon fondet e BE-së me vlerat e BE-së dhe se beson se anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të udhëhiqet nga meritat dhe të bazohet në vlera.

Ky Plan i Rritjeve, tha ai para gazetarëve, nuk është vetëm një mundësi për reforma dhe rritje ekonomike, por edhe një shans për bashkëpunim dhe integrim më të ngushtë rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, andaj edhe duhet të jemi konstruktiv në angazhimin tonë dhe të vetëdijshëm për fuqinë transformuese të vendimeve tona.

Në Shkup, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja. 

Adresimi i Kryeministrit Kurti para liderëve të rajonit dhe partnerëve në diskutimin e përbashkët rreth Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimorhttps://kryeministri.rks-gov.net/blog/adresimi-i-kryeministrit-kurti-para-lidereve-te-rajonit-dhe-partnereve-ne-diskutimin-e-perbashket-rreth-planit-te-rritjes-per-ballkanin-perendimor/

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën për media pas takimit dhe diskutimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor rreth Planit të Rritjes: https://kryeministri.rks-gov.net/blog/fjala-e-plote-e-kryeministrit-kurti-ne-konferencen-per-media-pas-takimit-dhe-diskutimit-te-lidereve-te-ballkanit-perendimor-rreth-planit-te-rritjes/

TE NDRYSHME

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

TE FUNDIT