ZHELINË – Komuna e Zhelinës ka qenë sot nikoqire e një momenti krenarie dhe suksesi të madh për arsimin dhe rininë. Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka pritur në një takim solemn nxënësit tanë të talentuar, të cilët u kurorëzuan me medalje në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM (Inteligjencë Artificiale).
Këta nxënës përfaqësuan denjësisht vendin tonë në një konkurrencë të fortë mes mbi 1.000 garuesve nga më shumë se 55 shtete të botës, duke dëshmuar se dija dhe talenti shqiptar nuk njohin kufij.
Triumf në disiplinën Coding
Një nga aspektet më domethënëse të këtij edicioni ishte suksesi i jashtëzakonshëm i nxënësve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut në disiplinën Coding, ku ata fituan pothuajse të gjitha medaljet e arta në kategoritë e tyre përkatëse.
Gjatë takimit, kryetari Blerim Sejdiu vlerësoi lart këtë arritje, duke theksuar se vizita e nxënësve në komunë ishte një shenjë e ndërsjellë mirënjohjeje për mbështetjen e dhënë gjatë rrugëtimit të tyre drejt këtij suksesi global.
„Ky vlerësim na motivon të vazhdojmë të investojmë fuqishëm në arsim, në talent dhe në rininë tonë, sepse ata janë e ardhmja e vërtetë e vendit tonë,“ u shpreh kryetari Sejdiu.
Falënderime për mentorët dhe prindërit
Kryetari Sejdiu u drejtoi urime të përzemërta gjithë nxënësve pjesëmarrës, prindërve të hekurt, mësuesve, si dhe mentorit Verim Zhaku, puna, përkushtimi dhe sakrifica e të cilëve u kurorëzuan me këtë fitore historike.
Me mesazhin “Vazhdoni të synoni majat, sepse Zhelina dhe gjithë kombi shqiptar besojnë tek ju”, komuna rikonfirmoi angazhimin e saj për të qëndruar gjithmonë pranë talenteve të reja.
