Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me deputetet Kaltrina Beqiri dhe Mimoza Musa, priti sot në takim një delegacion nga OSBE-ODIHR, i kryesuar nga drejtori Matteo Mecacci.
Gjatë takimit u diskutua mbi procesin zgjedhor në vend dhe zhvillimet e fundit politike, me theks të veçantë në garantimin e transparencës dhe korrektësisë në prag të fushatës zgjedhore.
Kasami deklaroi se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i demokracisë dhe garancia për një të ardhme më të mirë për qytetarët, duke shtuar se çdo hap i institucionit që ai drejton do të reflektojë respekt ndaj vullnetit të popullit.
“Demokracia e vërtetë ndërtohet mbi besim, dialog dhe përgjegjësi. Ky është rrugëtimi që kemi zgjedhur për Tetovën dhe për të gjitha komunat e vendit”, tha Kasami pas takimit.
Delegacioni i OSBE-ODIHR po zhvillon takime me përfaqësues institucionalë dhe politikë në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të vlerësimit të procesit zgjedhor.

 
                                    