Çairi po hyn në një fazë të re të qeverisjes lokale, ku stabiliteti institucional dhe bashkëpunimi ndërmjet strukturave udhëheqëse po vendosen në qendër të veprimit. Kështu ka deklaruar kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njëherësh një nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, pas takimit me kryetarin e sapozgjedhur të Këshillit Komunal, Muhamet Murtezi.
Sipas Mexhitit, takimi shënon një moment të rëndësishëm për funksionimin e komunës, pasi vetëm një ditë më parë Murtezi mori drejtimin e organit përfaqësues lokal në mbledhjen konstituive të Këshillit.
“Ky është një hap i natyrshëm drejt konsolidimit të institucioneve dhe forcimit të strukturave vendimmarrëse pas procesit zgjedhor,” ka theksuar Mexhiti në postimin e tij në Facebook.
Gjatë bashkëbisedimit, dy drejtuesit kanë diskutuar për procesin e konstituimit të Këshillit, prioritetet e punës për periudhën e ardhshme dhe mënyrat për rritjen e efikasitetit institucional përmes bashkëpunimit të ngushtë mes ekzekutivit dhe legjislativit lokal.
Kryetari Mexhiti ka theksuar se qëllimi i përbashkët mbetet i qartë: shërbime më të mira, institucione më funksionale dhe transparencë ndaj qytetarëve të Çairit.
Ai ka shtuar se Çairi ka nevojë për institucione që punojnë me përgjegjësi, integritet dhe vizion zhvillimor, duke theksuar se ky do të jetë drejtimi i punës në muajt në vijim, në shërbim të qytetarëve.

