Kurti nis vizitën në SHBA me takim me kongresistin Keith Self në New York

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një takim me kongresistin republikan, Keith Self, i cili u prit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në New York.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, kongresisti Self është një mbështetës i zëshëm i Kosovës dhe bisedimet u përqendruan në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, me theks të veçantë tek bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe tek roli i diasporës shqiptare në SHBA.

Kryeministri Kurti e informoi kongresistin për investimet në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke përfshirë pajisjet dhe armatimin e siguruar nga SHBA si pjesë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në mbrojtje.

Ai gjithashtu përmendi vendimet e qeverisë për pranimin e përkohshëm të shtetasve të vendeve të treta të zhvendosur nga SHBA, heqjen e tarifës doganore për produktet me origjinë amerikane, si dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën, si dëshmi e partneritetit të ngushtë dypalësh.

Gjatë takimit u theksua edhe roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte.

Kurti e ftoi kongresistin Self për një vizitë në Kosovë dhe e falënderoi për mbështetjen e tij publike për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe strukturat euroatlantike, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Kongresin dhe qeverinë amerikane.

Kryeministri në detyrë po qëndron në New York në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT