Kurti premton “festë të dyfishtë”: Pas zgjedhjeve, shtesat prej 100 eurosh shkojnë te fëmijët dhe pensionistët.

PRISHTINË – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se Qeveria ka siguruar mjetet për mbështetjen e fundvitit për fëmijët dhe pensionistët, pavarësisht sfidave me buxhetin.

 

Sipas Kurtit, të gjithë fëmijët dhe pensionistët do të përfitojnë nga një shtesë prej 100 eurosh, e cila pritet të procedohet menjëherë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke siguruar që mjetet të jenë në llogaritë e qytetarëve përpara natës së Vitit të Ri.

Kreu i qeverisë akuzoi opozitën për vështirësimin e këtij procesi përmes mosvotimit të buxhetit, por theksoi se ekzekutivi ka bërë të pamundurën për të mos lënë këto kategori pa mbështetje.

“Me fitoren tonë, Viti i Ri vjen më herët. Kemi vendosur të mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat prej 100 eurove, të cilat do të procedohen para natës së Vitit të Ri. Urime festat dhe t’i gëzoni bashkë me familjet tuaja!”, shkroi Kurti.

Ky njoftim vjen në kulmin e fushatës zgjedhore, duke e lidhur drejtpërdrejt mbështetjen financiare me rezultatin e procesit të votimit të së dielës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT