Kurti pret përfaqësuesit e Lëvizjes “Arbëria”: “Bashkimi politik i shqiptarëve është domosdoshmëri”

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me deputetët Avni Dehari dhe Arijeta Rexhepi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Lëvizjes “Arbëria” nga Maqedonia e Veriut.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike, shoqërore, ekonomike dhe kombëtare që prekin shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si dhe për nevojën e përfaqësimit të qëndrueshëm dhe të bashkuar politik të tyre.

Palët theksuan rëndësinë e mërgatës shqiptare si forcë lidhëse ndërmjet shqiptarëve në rajon dhe faktor kyç në zhvillimin ekonomik e politik të trojeve shqiptare.

Në qendër të diskutimeve ishin edhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet VETËVENDOSJE!-s dhe Lëvizjes “Arbëria”, me qëllim forcimin e zërit politik të shqiptarëve dhe avancimin e të drejtave të tyre në çdo nivel institucional.

Ky takim, siç u vlerësua nga të dyja palët, shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit mbi vlera e parime, për të ndërtuar një politikë shqiptare që mbështetet në ndershmëri, dinjitet dhe zhvillim të qëndrueshëm.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT