Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka reaguar ashpër pas mbërritjes së dronëve luftarakë kamikazë “Skydagger” në Kosovë, duke akuzuar Turqinë se po ndjek ambicie neo-osmane dhe po minon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Reagimi i Vuçiqit erdhi pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi gjatë ditës për mbërritjen e një kontingjenti me mijëra dronë kamikazë të prodhuar nga kompania turke “Baykar”, në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe nga vazhdimi i armatosjes së autoriteteve në Prishtinë.
Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk e dëshiron stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe ëndërron të rindërtojë Perandorinë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por e kemi kuptuar mirë mesazhin,” shkroi Vuçiq në platformën “X”.
Sipas Kurtit, dronët “Skydagger” janë pjesë e procesit të modernizimit të forcave të sigurisë, duke u shtuar në arsenalin që përfshin edhe “TB2 Bayraktar” dhe fluturaket e vogla “Puma”. Ai theksoi se me këtë blerje Kosova po forcon kapacitetet e saj mbrojtëse dhe po përshtatet me taktikat bashkëkohore të luftës.
“Me ardhjen e këtyre dronëve të avancuar, po vazhdojmë ngritjen dhe shtimin e fuqisë goditëse të ushtrisë, me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike,” tha Kurti.
Ky zhvillim vjen në një periudhë të ndjeshme të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që përfshirja e Turqisë në mbështetjen ushtarake ndaj Prishtinës shihet nga Beogradi si provokim i drejtpërdrejtë dhe sfidë ndaj ekuilibrave rajonalë.