Kurti: Vetëvendosje fiton në 7 komuna – një arritje e madhe, por synonim për më shumë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se subjekti që ai drejton ka dalë fitues në shtatë komuna në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, duke përfshirë Mitrovicën, Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Gjilanin.

Në një prononcim për media pas takimit në selinë e partisë në Prishtinë, Kurti tha se kjo është herë e katërt që LVV merr pjesë në zgjedhjet lokale dhe se krahasuar me ciklet e kaluara, partia ka shënuar rritje të ndjeshme.

“Në vitin 2013 fituam një komunë, në 2017 tri, në 2021 katër, ndërsa kësaj radhe, bazuar në të dhënat e komisionerëve tanë, kemi fituar në shtatë komuna. Ky është një sukses për Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse kemi synuar edhe më shumë,” u shpreh Kurti.

Ai i falënderoi të gjithë qytetarët që morën pjesë në procesin zgjedhor, si dhe kryetarët që përfunduan mandatin katërvjeçar në Podujevë, Shtime, Kamenicë dhe Gjilan, duke i vlerësuar për punën e tyre.

Kurti po ashtu përgëzoi kandidatët e LVV-së që garuan në balotazh, duke theksuar se në shumë raste, kundërshtarët politikë janë bashkuar përballë këtij subjekti.

“Në të gjitha këto komuna, të gjithë të tjerët janë bërë bashkë kundër LVV-së. Kemi qenë përballë një fronti të përbashkët, çka është situatë e pazakontë në skenën politike të Kosovës. Megjithatë, kjo fitore është e qytetarëve dhe e Vetëvendosjes,” tha Kurti.

Në fund, ai paralajmëroi se do të marrë pjesë në tubimet festive që do të mbahen gjatë mbrëmjes në Fushë Kosovë, Kastriot dhe Mitrovicë, duke theksuar se pret rezultatet përfundimtare edhe nga komunat e tjera.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com